BASHKIA SKRAPAR
Qarku:Berat
Qendër bashkie:Qyteti i Çorovodës
Sipërfaqja:831.44 Km katrorë
Popullsia:19072 banorë
Kryetar bashkie:Adriatik Mema
Numri i anëtarëve të këshillit bashkiak:15
Njësitë administrative:Çorovodë, Qëndër Skrapar, Bogovë, Vëndreshë, Çepan, Potom, Leshnje, Gjerbës, Zhepë
Faqja zyrtare e internetit:-
PROFILI I BASHKISË
Skrapari kufizohet në veri me bashkinë Gramsh, në perëndim me bashkitë Berat dhe Poliçan, në jug-perëndim me bashkinë Këlcyrë, në jug me bashkinë Përmet dhe në lindje me bashkitë Maliq e Korçë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Çorovodës. Sipas Censusit të vitit 2011, kjo bashki numëron 12,403 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 19,072 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe të konsiderueshme prej 831.44 km2 me densitet popullsie është 22.93 banorë/km2. Kjo bashki përbëhet nga 8 njësi administrative. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 106 fshatra. Bashkia e re e Skraparit ka një reliev të thyer malor, i cili ka një territor shumë të gjerë dhe popullsi të ulët. Skrapari si burim kryesor ka të ardhurat që vijnë nga blegtoria dhe bujqësia, prodhime mjaft të vlerësuara këto në tregjet e vendit, ndër më të njohurat djathi dhe rakia e Skraparit. Vitet e fundit Skraparit i është shtuar zhvillimi nëpërmjet turizmit. Kanionet e Skraparit, po tërheqin çdo ditë e më shumë vëmendjen e vizitorëve të huaj dhe vendas. Turizmi fetar është një tjetër resurs i kësaj zone. Parku Kombëtar i Tomorit, është një tjetër resurs mjaft i rëndësishëm i kësaj zone. Ndryshe me pjesën tjetër të rrethit, nga Bogova i gjithë fshati jeton me të ardhurat nga turizmi familjar. Pjesë e kësaj komune është fshati Novaj i njohur për gurin dekorativ.