BASHKIA HAS
Qarku:Kukës
Qendër bashkie:Qyteti i Krumës
Sipërfaqja:399.62 Km katrorë
Popullsia:21247banorë
Kryetar bashkie:Miftar Dauti
Numri i anëtarëve të këshillit bashkiak:21
Njësitë administrative:Krumë, Fajza, Gjinaj, Golaj, Has
Faqja zyrtare e internetit:http://www.kqk.gov.al/bashkia-has
PROFILI I BASHKISË
Bashkia Has kufizohet në veri dhe perëndim me Bashkinë Tropojë, në jug me Bashkinë Kukës dhe në lindje me Republikën e Kosovës. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Krumës, i cili u shpall qytet në vitin 1994.Sipas Censusit të vitit 2011, Hasi ka një popullsi prej 16,790 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, ka 21,247 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 399.62 km2 me një densitet prej 53.16 banorë/km2. Kjo bashki përbëhet nga 4 njësi administrative. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 29 fshatra. Pasuritë nëntokësore të këtij rajoni kanë nisur të shfrytëzohen në vitet ’30 nga italianët. Deri në mesin e viteve ’90 ka funksionuar miniera dhe fabrika e pasurimit të bakrit në Golaj, 6 kilometra larg qytetit të Krumës si dhe disa miniera më të vogla, ku ishin të punësuar mbi 3000 punëtorë. Jo vetëm banorët, por edhe specialistët thonë se nëntoka ende nuk është prekur. Për mineralin e bakrit dallohen zona Nikoliq Golaj, Krumë dhe Zahrisht në rrethin e Hasit. Relievi i zonës shtrihet nga rreth 300 metra mbi nivelin e detit deri në malet e larta të Gajrepit, Pashtrikut dhe Maja e Kunorës, të cilat gjenden në lartësitë 1400-1900 metra mbi nivelin e detit.Hasi gjendet gjithashtu në shtegun turistik malor Theth-Valbonë-Kukës dhe turizmi rural apo malor mund të jetë një perspektivë e mirë ekonomike për këtë zonë. Hasi njihet si krahinë etnografike me traditë të gjatë zejtare në produktet e leshit të punuara me shije si dhe për zanatçinj bukëpjekës.