BASHKIA DURRËS

Qarku:
Durrës


Qendër bashkie:
Qyteti i Durrësit


Sipërfaqja:
338.3 Km katrorë


Popullsia:
299989 banorë


Kryetar bashkie:
Emiriana Sako


Numri i anëtarëve të këshillit bashkiak:
51


Njësitë administrative:
Durrës, Sukth, Ishëm, Katundi i ri, Rrashbull, Manëz


Faqja zyrtare e internetit:
http://www.durres.gov.al/


PROFILI I BASHKISË

Bashkia Durrës kufizohet në perëndim me Detin Adriatik, në veri me bashkinë Kurbin, në lindje me bashkitë Krujë, Vorë e Shijak dhe në jug me bashkinë Kavajë. Sipas censusit të vitit 2011, në territorin e bashkisë së re Durrës banojnë 175,110 vetë ndërsa sipas regjistrit civil popullsia rezidente është 299,989 vetë. Me një sipërfaqe prej 338.30 kilometrash katrorë, densiteti i popullsisë është 680 banorë km2. Kjo bashki përbëhet nga gjashtë njësi administrative. Në territorin e bashkisë së re gjenden tre qytete, Durrës, Sukth dhe Manëz si dhe 39 fshatra. Bashkia e Durrësit shtrihet përgjatë bregut të detit, nga grykëderdhja e lumit Ishëm në veri deri në kufi me Kavajën në jug. Vija e gjatë bregdetare që i shtohet qytetit të Durrësit e thekson tiparin e kësaj bashkie si zonë turistike, pasi përveç plazhit të Durrësit asaj i shtohet i gjithë gjiri i Lalëzit si dhe Kepi i Rodonit, të cilat deri tani kanë qenë pjesë e komunave Ishëm, Sukth, Katund i Ri dhe Rrashbull. Durrësi ka gjithashtu portin më të madh në Shqipëri, ku përpunohet mbi 90% e të gjithë volumit të ngarkim-shkarkimit portual, gjë që e bën atë nyjën më të rëndësishme tregtare në vend.Për shkak të lehtësisë që krijon porti, Durrësi është zhvilluar edhe si një qytet i rëndësishëm për manifakturën, ndërsa joshja nga turizmi ka shkaktuar gjatë dy dekadave të fundit një bum në sektorin e ndërtimit. Durrësi është gjithashtu një zonë e rëndësishme arkeologjike, pasi nën qytetin aktual gjenden disa shtresa qytetërimesh antike. Zbulimet arkeologjike janë të shumta, ndërsa ndërtimet e dekadave të fundit kanë dëmtuar një pjesë të kësaj trashëgimie. Me mbi 5600 aktivitetet ekonomike të tij dhe 15% të investimeve të huaja, Durrësi është renditur në vendin e dytë si ekonomia më e fortë e vendit, pas Tiranës.Turizmi veror dhe kulturor është një industri me ndikim të rëndësishëm në ekonominë e Durrësit.