Deklaratë e Shoqatës së Bashkive për Projekt Buxhetin e vitit 2019

14 Nëntor, 20180

 

Deklaratë e Shoqatës së Bashkive për Projekt Buxhetin e vitit 2019

12 nëntor 2018

Pas shqyrtimit të Relacionit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mbi Projektbuxhetin e Shtetit për vitin 2019, për pjesën e buxhetit vendor Shoqata e Bashkive vëren se edhe ky buxhet mbart të njëjtat probleme si dhe vitet e shkuara, vecanërisht ato pas reformës territoriale.

Më konkretisht, për vitin 2019, Transferta e Pakushtëzuar referuar relacionit të Ministrisë përbëhet nga:

a-Pjesa e Përgjithshme që rezulton nga zbatimi i pikës 2 të nenit 23 të Ligjit nr. 68, datë 27.04.2017, “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore”, i cili përcakton se madhësia e transfertës së pakushtëzuar për vitin 2019 është 1% e Produktit të Brendshëm Bruto të parashikuar për vitin 2019, që rezulton të jetë 17.5 miliard lekë; dhe

b-Pjesa Sektoriale prej 7.4 miliard lekë nga shtesa që rezulton si pasojë e zbatimit të pikës 3 të nenit 95 të Ligjit nr. 139, datë 17.12.2015, “Për Vetëqeverisjen Vendore”, për përfundimin e periudhës tranzitore për financimin me transferta specifike të funksioneve të decentralizuara nga ky ligj, dhe zbatimi i pikës 4 të nenit 23 të Ligjit 68 datë 27.04.2017 “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore” që rregullon konvertimin e transfertave specifike për funksionet e decentralizuara rishtazi në nivel vendor në transfertë të pakushtëzuar sektoriale. Duke filluar nga 1 janari 2019, transfertat specifike kthehen në transferta të pakushtëzuara sektoriale të cilat përdoren në autonomi nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Në përfundim, për vitin 2019, transferta e pakushtëzuar do të jetë 24.9 miliard lekë.

 

Bazuar në këto shifra, rritja e Transfertës specifike në total është vetëm 1% në krahasim me vitin e kaluar dhe kjo dedikuar vetëm funksionit të administrimit të pyjeve. Ndërsa në total, rritja e Transfertës së pakushtëzuar është vetëm 4% në krahasim me vitin e kaluar. Theksojmë se vitin 2018 ka patur një rritje prej 9% në krahasim me vitin 2017.

 

Parë në këndvështrimin e zgjerimit dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve vendore, ky buxhet nuk i përgjigjet nevojave reale të bashkive dhe mbetet sërish larg normave dhe raporteve mes pushtetit vendor dhe atij qendror.

Nivelit të ulët të Transferës së Pakushtëzuar i shtohet dhe problematika si më poshtë:

 

  1. Buxheti i vitit 2019 nuk zgjidh problemin e shlyerjes së plotë të detyrimeve të prapambetura të trashëguara të bashkive, pavarësisht faktit se janë alokuar pak më shumë fonde si pjesë e transfertës së pakushtëzuar. Sa kohë niveli i borxhit të përgjithshëm kombëtar është shumë më i lartë se kapaciteti për ta reduktuar apo për ta mbajtur në këtë nivel në të dyja nivelet e pushtetit qendror dhe vendor, ecuria dhe zhvillimi ekonomik nuk priten të shfaqen me tregues pozitivë. Kujtojmë këtu se stoku i borxhit të qeverisjes qendrore është 1 091 684 milionë lekë, ndërsa ai i qeverisjes vendore 1 153 milionë lekë.

 

  1. Sektori i arsimit nuk merr financimin e projektuar në programin e qeverisë prej 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por qëndron në nivelin diku te 3.4% të PBB për 2018. Në vazhdim, dhe funksionet e reja mbeten përsëri me buxhet të pamjaftueshëm për tu realizuar në kushte optimale.

 

 

  1. Me gjithë insitimin tonë të vazhdueshëm, Fondi i Zhvillimit të Rajoneve sërish nuk është transferuar si pjesë e transfertës së pakushtëzuar tek njësitë vendore dhe ky fond vazhdon të kontrollohet nga interesat politike dhe të njëanshme nga qeveria.

 

  1. Buxheti 2019 nuk siguron decentralizimin e shpërndarjes së shërbimeve për shtresat në nevojë dhe familjet e varfra.

 

 

  1. Ky buxhet serisht nuk i pergjigjet nevojave dhe domosdoshmërisë për modernizimin e pushtetit vendor dhe reformave të sektorit publik me fokus në shërbimin administrativ vendor.

 

  1. Gjatë 2018, është konstatuar se bashkitë nuk kanë marrë fondet nga taksat e ndara sipas ligjit të financave vendore. Ky Ligj parashikon se:

a-2 për qind e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale transferohen te njësitë e vetëqeverisjes vendore, por kjo nuk është reflektuar në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe as në ligjin “Për Taksat Kombëtare”.

b-Për taksën vjetore për qarkullimin e mjeteve të përdorura, ligji i financave vendore parashikon se 25 përqind e të ardhurave vjetore nga kjo taksë i kalojnë buxhetit të qeverisjes vendore, ndërsa ligji “Për Taksat Kombëtare” parashikon 18 për qind. Ndryshimet ligjore dhe në këtë rast nuk janë të reflektuara në legjislacionin tatimor.

 

Këto problematika, të integruara së bashku dhe specifikat e tyre tregojnë se zhvillimi ekonomik vendor do të mbetet pezull sa kohë nuk u jepet buxhet i mjaftueshëm bashkive. Nga ana tjetër, buxheti i pamjaftueshëm imponon nivel të ulët të demokracisë vendore dhe një qeverisje vendore jo të shëndetshme sic duhet të jetë.

Voltana Ademi

Kryetare e SHBSH

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *