Sot në seancën dëgjimore në Kuvendin e Shqipërisë, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, shqyrtoi projektligjin “Për strehimin social”.
Në cilësinë e Drejtorit Ekzekutiv të Shoqatës se Bashkive të Shqiperisë, z. Agron Haxhimali ndër te tjera e vuri theksin në këto çështje dhe bëri këto propozime:
1- Roli prefektit “gjobit kryetarin e bashkisë” është pa kuptim dhe bie ndesh me pavarësinë e pushteteteve. Një kontroll i tillë nuk duhet fare.
2-Fakti që ky ligj të bëhet i zbatueshëm, kërkon 24 akte nënligjore të reja. Se kur do bëhen këto akte në hapësirën kohore, krijon vështirësi në zbatimin sa më parë të këtij ligji pasi nevoja për strehim është e madhe dhe s’ duhet humbur kohë.
3-Bashkitë sot janë në kushtet e papërballueshmërisë financiare për të ndërhyrë në sektorin e strehimit në raport me kërkesat dhe nevojat. Me buxhetin 1% të GDP që qeveria jep për bashkitë dhe me të ardhurat e veta, bashkitë nuk mund të fillojnë operacionin në këte sektor, sado i mirë të jetë ligji.
4- Përcaktimi se deri 1% e taksës së ndikimit në infrastrukturë duhet të shkojë për strehim social, është një kufizim i tepërt. Ne mendojmë që të hiqet ky kufizim, pasi duhet vetë bashkitë në raport me dinamikën e zhvillimit ekonomik dhe nevojat, të caktojnë shkallë tjetër të kësaj përqindjeje.
5-Dalja nga kjo situatë mjaftueshmërisht problematike kërkon buxhet. Ndaj ne sugjeruam dhe kërkuam në Komision që qeveria qendrore të akordojë për bashkitë një buxhet enkas për strehim social në masën 0.01-0,03% e buxhetit që jep si grant për bashkitë (pra e 1%) për 5 vite dhe më pas, të vijë duke u ulur në raport me nevojat e plotësuara.