Autonomia vendore po cënohet nga nisma ligjore të qeverisë për projektin urban rreth godinës së Teatrit Kombëtar.

27 Korrik, 20180

Nr. 132 Prot                                                                          

Tiranë, 26 korrik 2018

Lënda:   Autonomia vendore po cënohet nga  nisma ligjore të qeverisë për projektin urban rreth godinës së Teatrit Kombëtar.

 

SH.T.Z. Ilir META

President i Republikës së Shqipërisë

 

I nderuar zoti President,

 

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka ndjekur me vemendje debatin mbi ligjin e posaçëm për planin ndërtimor pranë Teatrit Kombëtar dhe godinës së re të tij.

Shoqata e Bashkive si aktore e rëndësishme e shoqërise civile në Shqipëri dëshiron të tërheqë vëmendjen e publikut, Presidentit dhe Kuvendit të Shqipërisë dhe të institucioneve të tjera kombëtare e ndërkombëtare mbi cënimin e autonomisë vendore. Konstatimi është bërë pas miratimit të ligjit 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Shoqata e Bashkive është e shqetësuar për ndërhyrjen e pushtetit qendor në kompetencat e qeverisjes vendore. Qeveria, me fuqinë dhe mekanizmat e saj, po krijon precedentë të rrezikshëm, duke ndërhyrë, imponuar për interesa të saj në vendimarrjen e qeverisjes vendore, këshillave bashkiak dhe komunitetit.

Rasti i ligjit 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar” është sot dhe mund të bëhet nesër model i keq edhe në bashki të tjera të Shqipërisë. Kjo mbështetet në argumentet si më poshtë:

  • Së pari, Ligji organik i vetëqeverisjes vendore u njeh bashkive të drejtën për të administruar prona publike, madje dhe të drejtën për t’i përdorur dhe tjetërsuar ato gjithnjë në të mirë të interesit publik. Po ky ligj, rregullon më tej dhe të drejtën e Këshillit të Bashkisë, që, me jo me pak së tre të pestat e tij, mund të vendosë për tjetërsimin e pasurive të paluajtshme.

 

  • Konkretisht ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, Neni 9 – “Të drejtat dhe përgjegjësitë”, parashikon në pikën c) se “…E drejta e pronësisë ushtrohet nga këshilli përkatës, i cili nuk mund t’ia delegojë ushtrimin e kësaj të drejte askujt tjetër.
  • Njëkohësisht Neni 54 – “Detyrat dhe kompetencat e këshillit bashkiak” në pikë e) përcaktohet se këshilli “…miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve”, ku sipas Nenit 55 – “Votimet”, pika 4. përcaktohet se “Vendimet merren me jo më pak se tre të pestat e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit për rastin e parashikuar në shkronjën “e”, të nenit 54, të këtij ligji” .

Duke konsultuar ligjin 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, sjellim në vëmendje Nenin 9, citojmë:

“Nënshkrimi i kontratës nga kryetari i Bashkisë Tiranë ose person i autorizuar prej tij bëhet brenda afatit kohor prej 10 ditësh, nga data e marrjes së projekt – kontratës dhe relacionit përmbyllës të negociatave.”

Pra, sikurse lexohet, ligji parashikon vetëm nënshkrimin e kryetarit të Bashkisë përkundrejt përcaktimeve ligjore në ligjin organik të vetqevrisjes vendore që kërkon që një vendimarrje e tillë të realizohet vetëm nga Këshilli i Bashkisë, me miratimin e të paktën tre të pestave. Ky ligj e suprimon Këshillin e Bashkisë si organi, pronar i truallit në fjalë, duke e zëvendësuar me nënshkrimin e Kryetarit të Bashkisë.

  • Së dyti, ligji 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, Neni 10 përcakton se:

“Pas nënshkrimit të kontratës nga kryetari i Bashkisë Tiranë ose personi i autorizuar prej tij, kontrata, së bashku me relacionin përmbyllës të negociatave, i dërgohet Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për ndjekjen e procedurave ligjore për miratimin e kontratës nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.”

Miratimi i kontratës nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë shënon përsëri një kapërcim të juridiksionit lëndor të pushtetit vendor nga ana e Qeverisë dhe më tej Kuvendit, duke shkelur përsëri parime të autonomisë vendore të sanksionuara në legjislacionin shqiptar dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara.

Parimet e funksionimit në shtetin e së drejtës përcaktojnë hierarkinë e akteve ligjore.

Sipas kësaj hierarkie, Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i miratuar me shumicë të cilësuar nga Kuvendi i Shqipërisë, prevalon mbi çdo ligj të miratuar me shumicë të thjeshtë.

“Karta Europiane e Autonomisë Vendore”, e ratifikuar nga Shqipëria, njeh dhe sanksionon rolin e pazëvendësueshëm të këshillave vendore në ushtrimin e autonomisë vendore.

Sipas saj, Neni 3, “Koncepti i autonomisë vendore”, parashikon se

  • 1. Me autonomi vendore kuptohet e drejta dhe aftësia efektive e bashkësive vendore për të rregulluar e për të drejtuar, brenda ligjit, nën përgjegjësinë e tyre dhe në të mirë të popullsive të tyre, një pjese të mirë të çështjeve publike.
  • Kjo e drejtë ushtrohet nga këshillat apo asambletë e përbëra nga anëtarë të zgjedhur me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë, të drejtpërdrejtë e universal dhe që mund të kenë organe ekzekutive përgjegjës para tyre.

Referuar kësaj karte, ankimimi nga një pjese e anëtarëve të Këshillit Bashkiak Tiranë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, do të sillte shfuqizimin e këtij ligji, nëse ky ligj hyn në fuqi. Ndërkohë Gjykata Kushtetuese është në kushtet e pamundësisë së shqyrtimit të një ankese të tillë për mungesë të kuorumit të anëtarëve. Në rastin më të keq, ky ligj mund të hyjë në fuqi dhe do të jetë shumë vonë për Gjykatën Kushtetuese për të riparuar dëmin e shkaktuar qytetarëve, artistëve dhe interesit publik.

“Karta Europiane e Autonomisë Vendore” garanton mbrojtjen ligjore të autonomisë vendore.

Sipas saj, në Nenin 11, përcaktohet se: “Nëpërmjet rekursit në mjete efektive juridike nënkuptohet e drejta e një organi vendor për të përdorur: a. një gjykatë të krijuar mbi bazën e ligjit, ose b. një organ ekuivalent, të pavarur, ose statusor, që ka të drejtë të vendosë ose të këshillojë për marrje vendimi, nëse një veprim, mosveprim, vendim ose akt tjetër administrativ është ose jo në përputhje me ligjin.

Në kushtet aktuale anëtarë të këshillit bashkiak nuk mund ta ushtrojnë këtë të drejtë.

  • Së treti, ligji nr. 8743, datë 22.02.2001, i përditësuar, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, në Neni 12, përcakton se: “Administrimi i pronës së paluajtshme siguron këto kushte: a) ruajtjen dhe garantimin e interesit publik; b) ruajtjen e karakteristikave dhe të vlerave unikale të pronës; c) ruajtjen dhe rritjen e vlerës ekonomike të pronës; ç) ruajtjen e treguesve ekologjikë të njësisë së pronës së paluajtshme, sipas parimit të dobishmërisë më të madhe publike.”

Ligji 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, i shkel të gjitha këto parime dhe krijon një precedent të rrezikshëm për të ardhmen.

  • Së fundmi, argumentave ligjore më sipër iu bashkangjiten edhe shqetësimet për mosrepektim të rregullave për prokurimin publik, Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, cënimit të interesit publik etj.

 

I nderuar z. President,

Parashtruam para Jush argumentet ligjore që sipas Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë cënojnë rëndë autonominë e qeverisjes vendore, kuadrin ligjor si dhe marrëveshjet ndërombëtare të ratifikuara nga Shqipëria.

Sa më sipër, kërkojmë nga ana Juaj, që të merrni në konsideratë kërkesën tonë, dhe pas konsultimeve të nevojshme të merrni vendimin për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

 

 

Për Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë

 

VOLTANA ADEMI

 

KRYETARE

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *