Mendim dhe rekomandim mbi Projektvendimin e Këshillit të Ministrave “Për caktimin e agjentit të autorizuar për mbledhjen e taksës së ndërtesës, masën e përfitimit nga mbledhja e taksës për agjentin e autorizuar dhe mënyrën e pagesës së taksës së ndërtesës”

19 Gusht, 20180

Nr. _133_Prot                                                                                    Tiranë, 16 gusht 2018

 

Lënda:      Mendim dhe rekomandim mbi Projektvendimin e Këshillit të Ministrave “Për caktimin e agjentit të autorizuar për mbledhjen e taksës së ndërtesës, masën e përfitimit nga mbledhja e taksës për agjentin e autorizuar dhe mënyrën e pagesës së taksës së ndërtesës”

Zotit ARBEN AHMETAJ

MINISTËR I FINANCAVE DHE EKONOMISË

 

I nderuar z. Ahmetaj,

Në përgjigje të shkresës suaj për dhënie mendimi datë 31.07.2018, nr. Prot 40, në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, ju falenderojmë për përfshirjen e Shoqatës së Bashkive në procesin e hartimit të këtij vendimi.

Së pari po përsërisim shqetësimet tona për kulturën e të bërit të ligjeve dhe ndryshimeve ligjore të fragmentarizuara në kohë dhe jo me një vizon të qartë dhe logjik të mirëpërcaktuar, pasi kjo metodë shkakton kaos juridik, institucional, organizativ dhe administrativ.

Në vijim po ju parashtrojmë qëndrimin tonë mbi këtë projektvendim dhe disa cështje të tjera që ende kërkojnë vëmendjen tuaj në përmirësimin e procesit të përllogaritjes dhe mbledhjes së taksës së ndërtesës.

 

A: Caktimi i një agjenti qendror për mbledhjen e një takse vendore nuk është në përputhje me synimet për një autonomi vendore dhe decentralizim.

  1. Përcaktimi i agjentit tatimor nga Këshilli i Ministrave është në kundërshtim të hapur me nenin 2, 4, 9 dhe 22 të ligjit nr 139 /2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Në këtë ligj përcaktohet se:

Neni 2 Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

  1. “Administrimi” është e drejta për të planifikuar, financuar dhe organizuar ushtrimin e një funksioni.
  2. “Autonomi vendore” është e drejta dhe aftesia e njësive të vetëqeverisjes vendore, te krijuara sipas Kushtetutës dhe ketij ligji dhe ne kuader te kufizimeve te tij, qe te rregullojne dhe te administrojnë nje pjese thelbësore te ceshtjeve publike nen pergjegjesine e tyre dhe ne interes te bashkësisë.

Neni 4 Parimet themelore të vetëqeverisjes vendore

  1. Organet e njësive të vetëqeverisjes vendore veprojnë në bazë të parimit të autonomisë vendore.

 

Neni 9 Të drejtat dhe përgjegjësitë

1.3. Të drejtën dhe përgjegjësinë e mbledhjes së të ardhurave dhe bërjes së shpenzimeve, sipas së cilës:

  1. a) krijojnë, mbledhin të ardhura dhe bëjnë shpenzime për përmbushjen e funksioneve të tyre;

b)vendosin taksa vendore e tarifa për shërbimet, si dhe nivelin e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi;

 

Neni 22 Parimet për ushtrimin e funksioneve

  1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore rregullojnë dhe administrojnë ushtrimin e funksioneve të veta në mënyrë të plotë dhe të pavarur, në përputhje me Kushtetutën, Kartën Europiane të Autonomisë Vendore dhe ligjet në fuqi.

 

  1. Sipas nenit 5, shkronja ii) të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore” i ndryshuar, është e drejta e bashkisë të përcaktojë mënyrën e mbledhjes së taksës, përfshirë zgjedhjen e agjentit fiskal dhe detyrimet e ndërsjellta. Më konkretisht kjo përcaktohet në ligj si më poshtë:

Neni 5 Rregulla të përbashkëta për taksat vendore

Me përjashtim të te rasteve kur në këtë ligj përcaktohet shprehimisht ndryshe, bashkia përcakton:

ii)mënyrën e mbledhjes së taksës, përfshirë zgjedhjen e agjentit fiskal dhe detyrimet e ndërsjellta;

  1. Eksperienca ka treguar se përcaktimi i agjentit tatimor, institucion në varësi të qeverisjes qendrore, ka rezultuar problematike për Bashkitë.

Duke kthyer kokën pas, në vite, eksperienca të tilla, ku institucione të qeverisjes qendrore, kanë ushtruar funksionin e agjentit tatimor me vendim të këshillit të ministrave për Bashkitë, ka sjellë anarshi, reduktim të të ardhurave vendore, pasaktësi në llogaritjen dhe mbledhjen selektive të të ardhurave nga taksapaguesit. Një ndër eksperiencat më problematike është funksionimi i Drejtorive Rajonale Tatimore si agjent tatimor për bashkitë për mbledhjen e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të biznesit të vogël. Bashkive menjëherë iu reduktuan të ardhurat. Agjentët nuk funksionuan si të tillë. Sistemi u fut në një anarshi kur bëhej fjalë qoftë për llogaritjen, mbledhjen dhe rakordimin e të ardhurave të mbledhura.

Bashkitë nuk kanë akses kontrolli mbi sistemet e përdorura nga institucionet në varësi qendore dhe kjo bën që shpesh këto institucione të mos deklarojnë me transparencë të plotë të ardhurat e mbledhura, e për rrjedhojë të derdhin sa “tu teket” në llogaritë përkatëse të të ardhurave të Bashkive.

 

  1. Vështirësitë e Bashkive në zbatimin e legjislacionit për llogaritjen e saktë të taksës së ndërtesës.
  2. Dhe pse Bashkitë pranojnë vështirësitë që zbatimi i kësaj takse ka sjellë në bashki, nuk mendojmë se problemi kryesor është grumbullimi i taksës, por identifikimi i taksapaguesve dhe i ndërtesave si objekte të taksës. Edhe pse agjenti i propozuar nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, OSHEE ka një regjistër të përditësuar të klientëve të tij, projekt vendimi nuk parashikon sesi bashkitë do mund ta përdorin këtë bazë të dhënash, çka do të ishte dhe ndihmë e vlefshme, mjaft e madhe ndaj bashkive.

 

  1. Ndërkohë që projektvendimi gjithmonë i referohet një Regjistri Qendror i Bazës së të Dhënave për Llogaritjen e Taksës së Ndërtesës, nga puna jonë e vazhdueshme me bashkitë, rezulton se vështirësia më e madhe është pikërisht krijimi i këtij regjistri dhe jo grumbullimi i taksës.

 

  1. Mungesa e informacionit për hartimine një regjistri të plotë për ndërtesat:
  2. Bashkitë kanë mungesa të informacionit në hartimin e një regjistri të tyre lokal dhe pse kanë ndjekur hapat e parashikuara në Metodologjinë e Vlerësimit të Taksës së Ndërtesës. Kërkesat zyrtare për informacion drejtuar zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ALUIZNIT etj nuk kanë marrë përgjigje nga këto institucione. Dhe pse Ligji “Për Sistemin e Taksave Vendore”, Kreu IV / Taksa mbi Pasurinë e Paluajtshme, në Nenin 20, pika 3 parashikon se:“Brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zyrat rajonale të regjistrimit të pasurisë sëpaluajtshme u ofrojnë bashkive të dhënat e regjistrimit elektronik të pasurisë”, dicka e tillë nuk ka ndodhur.

 

  1. Ne mendojmë se bashkitë kanë nevojë për informacionin e detyrueshëm për t’u dhënë nga këto institucione për të krijuar një bazë të azhornuar të dhënash. E megjithatë, bashkitë kanë bërë një punë mjaft të mirë për informimin e qytetarëve, vetëdeklarimin dhe verifikimin në terren të kategorisë ndërtesë të pasurisë së paluajtshme.
  2. Komisioni për shërbimin e kryer nga agjenti tatimor është i pa bazuar në llogaritjen e detyrueshme për koston e këtij shërbimi.
  3. Komisioni i caktuar prej 4% të vlerës së mbledhur duhet thjesht të mbulojë kostot e ofrimit të këtij shërbimi të shkaktuara për agjentin OSHEE duke qenë se flasim për një ent shtetëror. Në këtë drejtim, do tju luteshim të bënit qartë si për mënyrën e përllogaritjen së këtij komisioni dhe kostot që ky komision do të mbulojë.
  4. Paqartësi në përcaktimin e rasteve përjashtimore në aplikimin e takses së ndërtesës.
  5. Ka ende paqartësi ndërmjet bashkive për kategoritë e përjashtuara nga taksa e ndërtesës si invalidët, etj. Në legjislacionin aktual ka kundërshti nëse taksa e ndërtesës është apo jo një taksë e drejtpërdrejtë. Në disa raste ka vendime të gjykatave që vendosin për përjashtimin e invalidëve nga kjo taksë. Një shpjegim më i qartë do të ishte i nevojshëm në këtë rast.

 

  1. Si do procedohet kur klienti e paguan shërbimin për shërbimin bazë që merr nga OSHEE, energjinë elektrike dhe nuk paguan taksën e ndërtesës???. Çfarë roli ekzekutiv do marrë OSHEE për të realizuar grumbullimin e taksës?

 

REKOMANDIME

Në përmbledhje të qëndrimeve dhe mendimeve ne rekomandojmë si më poshtë vijon:

Përsa i përket caktimit të OSHEE si agjent të mbledhjes së taksës së ndërtesës me VKM:

  • Ne sugjerojmë që OSHEE mund të jetë një nga agjentët tatimor, i cili mund të përzgjidhet nga Këshillat Bashkiak. Por përcaktimi si agjent tatimor, të mos ketë fuqi detyruese si agjenti i vetëm unik dhe imponues për bashkitë.

 

  • Bashkitë kanë të drejtën dhe duhet ta vendosin vetë me vendim të Këshillit Bashkiak nëse OSHEE do të shërbejë si agjent.

 

  • Bashkia duhet të negociojë me Agjentin, qoftë OSHEE apo cilindo tjetër agjent, lidhur me komisionin dhe afatin e shtrirjes kohore sic e përcakton legjislacioni. VKM nuk mund të vendosë përqindje fikse (4%) pasi sipas rastit dhe natyrës së bashkisë komisioni mund të jetë i ndryshueshëm.

 

Ju falenderojmë për bashkëpunimin.

 

VOLTANA ADEMI

KRYETARE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *