Qëndrimi i Shoqatës Bashkive të Shqipërisë për lehtësirat ndaj emigranteve
Tiranë, 25 qershor 2016
Lënda: Kthim përgjigje
Në përgjigje të kërkesës suaj për propozime/sugjerime konkrete për masat që mund te ndërmerren në nivelin vendor nga bashkitë si p.sh. lehtësimi nga pagesa e tarifave vendore ose masa të tjera që gjykoni se mund të aplikohen në nivelin vendor në kuadër të iniciativës së Qeverisë shqiptare për lehtësimin e procedurave dhe shërbimeve për emigrantët shqiptarë, ju bëjmë me dije se: Shoqata e Bashkive të Shqipërisë organizoi një diskutim me përfaqësues nga bashki të ndryshme lidhur me temën në fjalë, nga i cili rezultoi që:
• Lehtësimi i procedurave dhe i shërbimeve për emigrantët u konsiderua me interes nga bashkitë, por duhen qartësuar më shumë rrethanat nëse i referohemi vetëm emigrantëve që do të vazhdojnë të jetojnë jashtë apo duhet konsideruar dhe situata kur ata kthehen për të jetuar në Shqipëri.
• Aktualisht, nga bashkitë nuk aplikohen masa lehtësuese për emigrantët. Ata kanë ndaj bashkive po të njëjtat detyrime dhe ndjekin po ato procedura si dhe banorët e tjerë.
• Lehtësimi nga pagesa e tarifave vendore për disa shërbime bashkiake mund të shqyrtohet me tej nga bashkitë me shumë gjasa duke aplikuar tarifimin propocional për aq kohë sa emigrantët jetojnë në Shqipëri.
• Dhe kjo masë do të kërkojë studim të mëtejshëm sesi mund të realizohet praktikisht, në përputhje dhe me të dhënat e reja që do të merren nga regjistrimi dhe identifikimi i shtetasve shqiptarë të cilët jetojnë jashtë.
Diskutimi i kësaj teme mund të kërkojë pak më shumë kohë dhe marrjen e mendimeve të mëtejshme. Gjithsesi, shpresojmë ti kemi shërbyer këtij diskutimi.
Agron HAXHIMALI Drejtor Ekzekutiv