Tiranë, 17 Dhjetor 2015 Deklaratë për Shtyp
Qeveria redukton me 1.3 miliardë lekë buxhetin për bashkitë; ulje diskriminuese dhe kërcënim i shërbimeve publike.
Shoqata e Bashkive të Shqipërisë si zëri i interesave qytetare, përfaqësuese e bashkive si institucionet më afër ofrimit të shërbimeve publike dhe sociale për komunitetin, ka ndjekur dhe po ndjek me vëmendje duke dhënë dhe kontributin e saj zhvillimet në qeverisjen vendore, tendencat për dinamizmin e bashkive të reja dhe përpjekjet jo demokratike të qeverisë për të kufizuar bashkitë e reja në ofrimin e shërbimeve dhe mbledhjen e të ardhurave, me qëllimin e vetëm për të vendosur kontroll dhe pushtet mbi cdo gjë.
Ju bëj me dije se Qeveria ka paraqitur pak kohë më parë, një ndryshim në projekt buxhetin e vitit 2016, ndryshim i hartuar në fshehtësi dhe errësirë në mungesë të plotë të konsultimit me të zgjedhurit vendorë. Në total ky buxhet ishte parashikuar me 14.3 miliardë lekë për tu ulur papritur me 1.3 miliardë. Luhatje të tilla përvec dëmit mbi ekonominë e bashkive tregojnë dhe për mungesën e profesionalizmit të institucioneve qeveritare përgjegjëse për hartimin e buxhetit.
Ne, bashkiakët kemi adresuar shqetësimet tona lidhur me projektbuxhetin 2016 me argumentimin se buxheti i hartuar nga qeveria nuk është realist, nuk i përgjigjet nevojave reale, nuk nxit zhvillimin ekonomik dhe kohezionin social e mbi të gjitha nuk reflekton situatën post reformës territoriale e akoma më keq nuk i përgjigjet kryerjes së funksioneve të reja nga bashkitë.
Sot, ne jemi njohur nga mediat se qeveria do të shkurtojë buxhetin për 61 bashkitë e reja me 1.3 miliardë lekë. Kjo ulje është izolim për vendimarrësit vendorë, është mungesë shërbimi për cdo qytetar në Republikën e Shqipërisë. Kjo nuk është gjë tjetër vecse keqdashje dhe miopi, ku qeveria e shikon pushtetin vendor si konkurent dhe jo si partner.
Në përfundim, në emër të bashkive ngremë zërin si përfaqësues të komuniteteve në mbrojtje të të drejtave dhe dinjitetit të tyre me qëllimin e vetëm, shërbimin për qytetarët.
I bëj thirrje qeverisë të mos ulë asnjë qindarkë nga buxheti për bashkitë, por të rishikojë cdo mundësi reale për ta rritur atë.
I bëj thirrje qeverisë të rishikojë buxhetin e alokuar për funksionet e reja, pasi nuk janë reale dhe madje për disa njësi janë zeruar qëllimisht e në mënyrë të pajustifikuar.
I bëj thirje Kuvendit që të mos votojë asnjë nen të projektligjit për buxhetin, projektligj që redukton buxhetin e bashkive dhe cënon autonominë e pushtetit vendor, sanksionuar në Kushtetutë dhe Kartën Europiane të Vetqeverisjes Vendore.
I bëj thirrje thirrje institucioneve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë që të na mbështesin në konsolidimin e autonomisë vendore.
Ne jemi të zgjedhur për të menaxhuar dhe administruar dhe jo për magjistarë!
Voltana Ademi Kryetare