Tiranë, 14.04.2016
Lënda: “Mendim i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë mbi Projekt-Vendimin e Këshillit të Ministrave ”Për miratimin e Rregullores për kushtet, kriteret, tarifat, afatet, si dhe procedura për klasifikimin e strukturave akomoduese.
“ Shoqata e Bashkive ka marrë së fundmi një kërkesë për dhënie mendimi mbi Projekt Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e Rregullores për kushtet, kriteret, tarifat, afatet, si dhe procedura për klasifikimin e strukturave akomoduese”.
Ndonëse ky projekt vendim na u dha pa anekset përkatëse, të cilat në fakt përbënin thelbin e kritereve të kësaj rregulloreje, ne arritëm ti marrim ato nga burime të tjera dhe të bëjmë një konsultim të shpejtë me anëtarët tanë dhe biznese anëtare të shoqatave të biznesit turistik.
Vërejmë se ky projekt vendim ndonëse me fokus rregullimet për klasifikimin e strukturave akomoduese, një temë mjaft e rëndësishme për bizneset dhe klimën e biznesit në turizëm, parashikon në fakt kufizimin e ushtrimit të aktivitetit të këtyre strukturave në varësi të kushteve dhe kritereve të vendosura në tabela voluminoze në anekse ndërkohë që si kategori strukturash aty përfshihen hotele, bujtina, fjetina, B&B etj.
Për më tej, verehet një numër shumë i madh kriteresh në tabelat përkatëse, kriteret minimale për hotelet fillojnë me kushtet e hoteleve me dy yje me mbi 400 kritere nderkohe për bujtinat të cilat janë të përhapura në zonat malore mbi 150 kritere.
Për sa kemi pasur mundësi gjatë këtyre viteve të marrim pjesë në aktivitetet mbi zhvillimin e turizmit dhe të dëgjojmë dhe vlerësime ekspertesh por dhe nga eksperiencat tona të vizitave në destinacione turistike, mjaft njësi akomoduese ofrojnë shërbime të thjeshta për kategori buxhetore turistësh si për pushuesit nga Kosova dhe për mjaft familje shqiptare me të ardhura të kufizuara. Ndaj dhe sipas këtyre analizave dhe diskutimeve tona na rezulton se eksiston mundësi e lartë që mjaft hotele nuk plotësojnë kushtet e hotelit me dy yje dhe mjaft bujitna nuk do mund ti plotësojnë gjithë ato kritere të paraqitura.
Në kuadër të vështirësive ekonomike që po kalon klima e biznesit, ku diskutimet nga të gjitha anët e politikës, përfshirë dhe qeverinë janë për krijimin e kushteve më të lehtësuara me më pak pengesa, Shoqata jonë dhe bashkitë anëtare janë të pozicionuara qartësisht për taksa të ulta dhe kushte lehtësuese për biznesin. Kështu ne gjykojmë dhe kërkojmë që trajtimi i klasifikimit të njësive akomoduese si një liçencë me kritere mjaft të larta është mjaft i dëmshëm dhe madje absurd në kushtet tona aktuale.
Në fakt, tashmë të paktën në sferën e liçensimit, Shqipëria ka krijuar një kuadër të mirë për të cilin me procedurat lehtësuese të fillimit të biznesit ka arritur të ketë një renditje pozitive në renditjet ndërkombëtare të Doing Business.
Pasi iu adresuam edhe një herë këtij kuadri, na rezulton se sipas Ligjit Nr. 10081 datë 23.02.2009 “Për Liçencat, Autorizimet dhe Lejet në Republikën e Shqipërisë” çdo lloj iniciative ligjore për krijimin e një liçense duhet të jetë në përputhje me parimet 5 – 13 të këtij ligji. Ky ligj ka garantuar një proces transparent dhe konsulativ, për mbrojtjen sa më të mirë të interesave të bizneseve në harmoni me ato publike dhe sanksionon parime për kushte të përshtatshme, proporcionale, me pak pengesa burokratike, me tregues objektivë, të thjeshtë e të matshëm me njw proces vlerësimi të plotë e të kujdesshëm të ndikimit të pritur. Mesa vlerësojmë ne, këto kërkesa nuk përligjen nga kriteret e parashikuara në anekset e rregullores. Ne shohim me shqetësim se procesi ka mbërritur në fazën e konsultimit dhe nuk ka referenca për plotësimin e kërkesave të ligjit të liçensimit.
Në eksperiencat e vendeve të tjera, zakonisht është pushteti vendor ai që jep leje për ushtrim aktiviteti përsa i përket ambienteve të tij, për plotësimin e kushteve bazë në ndërtesa, por çfarë paraqitet në këtë Projekt Vendim është përtej këtyre pragjeve dhe ndërkohë pushteti vendor akoma nuk është i qartë për kushtet bazë të ambienteve të hoteleve përsa i përket ndërtesës apo infrastrukturës, procedurave dhe përgjegjësive përkatëse.
Ndërkohë kemi informacion se është në proces pregatitjeje një Projekt VKM për strukturat ndërtimore. Bashkitë janë të interesuara për projekt vendimin që ka të bëjë me kushtet ndërtimore për objektet akomoduese, (kur ato ndërtohen të reja, apo nevojiten për përshtatje të strukturave ekzistuese).
Në Projekt Vendim nuk ka qartësi se kush janë institucionet përgjegjëse. Ne mendojmë se në këtë rast janë Bashkitë ato që lidhen me leje ndërtimi, (për të reja apo rikonstruksione), për pasojë edhe për kontrolle dhe kolaudime. Pra, do të duhet që ky projektvendim të diskutohet gjerësisht edhe me Bashkitë.
Kriteret e ndërtimit dhe të sigurisë së banesave, përsa i përket sigurisë, masave kundra zjarrit, elektrike, etj. janë detyruese, ndryshe nga klasifikimi i me yje që duhet të jetë standart dhe shpreh cilësi. Në strukturat e tjera akomoduese, veçanërisht në bashkitë me turizëm detar, një vend shumë të rëndësishëm zënë Apartamentet. Shumë turistë të huaj dhe shqiptarë qëndrojnë në apartamente që jepen me qera nga qytetarë, por edhe biznesmenë që kanë më shumë se një apartament. (ne vlerësojmë se në zonat bregdetare numri i turistëve që qëndrojnë në apartamente është më i madh se ai i turistëve që qëndrojnë në Hotele, apo struktura të tjera akomoduese, që janë subjekt i këtij projektvendimi!
Në fakt nuk ka asnjë orientim për këtë kategori njësish akomoduese si veprohet me ta për efekte identifikimi, takse apo ndonjë kushti tjetër. Ne do të sygjeronim që edhe për apartamentet, kur ato ofrojnë akomodim për më shumë se 10 shtretër, (pra në rastin e atyre që ofrojnë më shumë se dy apartamente) të ketë një rregullim ligjor.
Për sa i përket sugjerimeve tona për turizmin malor dhe rural, ata nuk janë krejt në hapat e para dhe me gjithë dëshirën e mirë, do të duhet shumë përpjekje dhe mbështetje, përfshirë edhe kontributin e Bashkive, që ato të arrijnë standarte që kërkon ky projekt vendim. Ne do të sugjeronim që ato të mos jenë në këtë fazë për tu trajtuar me çertifikim të detyrueshëm, por të ketë standarte jo detyruese. Gjithashtu, nuk arrijmë të gjejmë përgjegjësi dhe një panoramë të qartë se kush janë strukturat organizative që merren me gjithë këtë proces çertifikimi duke e bërë jo transparente këtë kuadër nënligjor. Ndaj ne, si Shoqatë që mbron dhe promovon politika për një klimë biznesi të favorshme vleresojmë dhe kërkojmë të mos krijohen pengesa të tilla që të çojnë eventualisht në mbylljen e bizneseve. Duhet ndëmarrë një proces gjithpërfshirës dhe transparent për konsultim të gjerë me të gjithë aktorët e interesit ku bashkitë kanë interesin e tyre të përligjur për një klimë të mirë biznesi. Sugjerojmë që ky proces të përfshijë dhe shqyrtimin e pse jo adoptimin dhe të praktikave të vendeve të tjera.
Si përfundim, përveç këtyre kërkesave tona për Ministrinë përkatëse të Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit të rivlerësojë këtë iniciativë në favor të një klime më të mirë të të bërit biznes, i kërkojmë Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore të mbështesë këtë qëndrim të Shoqatës së Bashkive, duke nxitur kështu dialogun dhe bashkëpunimin konstruktiv për iniciativa që janë në mbështetje të zhvillimit të bizneseve dhe turizmit. Agron Haxhimali Drejtor Ekzekutiv