Rekomandime mbi Projekt Buxhetin e Shtetit për Bashkite për vitin 2021

17 Nëntor, 20200

Lënda: Rekomandime mbi Projekt Buxhetin e Shtetit për vitin 2021

Drejtuar: Komisionit të Ligjeve, Kuvendi i Shqipërisë

Propozimi: Buxhet më të madh për bashkitë për shërbimet publike vendore dhe fond të veçantë për përballimin e pandemisë dhe rikuperimin e ekonomisë vendore.

Sfondi.
Shoqata e Bashkive të Shqipërisë që nga viti i krijimit në 1993, mbron demokracinë vendore dhe decentralizimin, punon dhe avokaton në mbrojtje të interesave të pushtetit vendor të nivelit të parë siç janë bashkitë, dhe nxit përmirësimin e shërbimeve publike sasiore dhe cilësore në nivel vendor. ShBSh ndjek me vëmendje dhe angazhim reformat e qeverisë në pushtetin vendor, inkurajon përmirësime të vazhdueshme dhe qëndrueshme. Po me kaq vullnet e vëmendje ndjekim edhe zhvillimin e vetë bashkive, dhe inkurajojmë ato drejt një performance më të mirë dhe më llogaridhënëse ndaj komunitetit.

Ne njohim dhe pranojmë që situata ekonomike e vendit tonë nuk është në nivelet e kërkuara, qoftë për arsye të politikave, por edhe për arsye të fenomeneve si tërmeti dhe pandemia e Covid-19. Pra, kuptojmë që është një periudhë apo vit i vështirë në dimensionin e buxhetit në tërësi dhe buxhetit vendor në veçanti. Nga ana tjetër, njohim shumë mirë edhe nevojat reale që ka sot pushteti vendor për mjete financiare.

Sot 61 bashkitë dhe 340 njësitë administrative kanë më shumë se kurrë përgjegjësi, funksione dhe llojshmëri shërbimesh administrative dhe publike, për të cilat ju nevojitet mbështetje serioze me buxhet nga transferta qeveritare. Ministria e Financave dhe Ekonomisë na ka prezantuar një projekt – buxhet për pushtetin vendor për vitin 2021.

Buxheti i vitit 2021 është thuajse i njëjtë me atë të vitit 2020 (18.000 Transfertë e pakushtëzuar dhe 7.640 për funksionet e reja).

• Transferta e pakushtëzuar e cila përbëhet nga:
a) Pjesa e Përgjithshme 18.2 miliard lekë
b) Pjesa Sektoriale prej 7,85 miliard lekë
• Transferta specifike prej 500 mlionë lekë për mbrojtjen civile.

Ne jemi perfshirë në procesin e konsultimit në Këshillin Konsultativ dhe kemi dhënë disa mendime racionale në shërbim të bashkive, por pa kompromentuar buxhetin qëndror, për një buxhet që t’i përgjigjet sa mundet nevojave reale nëpër të 61 bashkitë e vendit. Por a mundet bashkitë të përmbushin një gamë kaq të madhe për përgjegjësitë, funksionet dhe shërbimet me këtë buxhet nga qeveria që është vetëm 1% e PPB?

Referuar kontekstit dhe rrethanave nga terreni i njohur mirë, ShBSh nga pikëpamja teknike dhe profesionale konkludon se:

Qeveria qendrore duhet të rrisë buxhetin për pushtetin vendor nga të ardhurat kombëtare.

Rekomandime specifike dhe implikime financiare:

1- Buxheti nga transferta e pakushtëzuar. Shoqata e Bashkive mbështet qëndrimin se transferta e pakushtëzuar duhet të rritet në të paktën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. (edhe pse mirëkuptojmë që ky vit paraqet vështirësi, por objektivi mbetet konstant).

2- Transferta sektoriale. Pjesa sektoriale e transfertës së pakushtëzuar ka pësuar rritje jo domethënëse për 2021, por sërish nuk i përgjigjet nevojave dhe realitetit për një minimum standardi në cilësi dhe sasi shërbimi. Ky buxhet duhet të jetë pjesë integrale e tërë transfertës së pakushtëzuar.

3- Tatimi mbi të ardhurat personale. Gjatë 2020 kemi konstatuar se në bashki ka filluar transferimi i fondit nga ndarja e tatimit mbi të ardhurat personale (2%). Ne i kërkojmë qeverisë që kjo të shtrihet në të gjitha bashkitë për vitin 2021 dhe transferimi i kësaj shume të bëhet edhe për periudhën që nga momenti që ka hyrë në fuqi ligji.

4- Borxhi dhe vështirësitë financiare. Referuar të dhënave dhe diskutimet e kohëve të fundit shumë bashki janë në vështirësi financiare. Një nga shkaqet është borxhi aktual vendor arrin në vlerën e 8.5 miliardë lekëve. Rekomandimi ynë që me fillimin e reformës territoriale ka qenë dhe mbetet sërish ideja se ky borxh i akumuluar të merret përsipër nga qeveria qendrore duke i lehtësuar bashkitë, veçanërisht në këtë situatë për të cilën bashkitë kanë më shumë nevojë se kurrë.

5- Renta minerare. Bashkitë mbeten të diskriminuara nga pjesa e fondeve që përfitojnë nga kjo taksë, edhe nga aspekti administrativ edhe nga niveli i saj që sot është vetëm 5% në favor të bashkive. Rekomandimi ynë mbetet që përqindja e rentës minerare për pushtetin vendor të jetë në nivelin e para vitit 2013, në 25% si fasho më minimaliste, dhe deri në 35% fasho optimale, dhe ideale do ishte ndarja 50% me 50%. Kjo do të rriste shumë autonominë financiare të bashkive nga ku përfitohet renta.
Me iniciativën e qeverisë synohet ndryshimi i nivelit të rentës në masën 0% për një periudhë 3-vjeçare dhe 1/3 e normës së rentës për periudhën në vijim. Ne e mbështesim këtë lehtësim të detyrimeve si një përkrahje nga biznesit të fushës, vecanërisht në këto kohë të vështira sjellë nga pandemia COVID 19. Gjithsesi, ne i mbetemi sugjerimit tonë për ndarjen e rentës me bashkitë dhe rritjen e përqindjes së përfitimit të pushtetit vendor.

6- Taksa e pronës. Të dhënat e këtij viti kanë tregues jo pozitivë mbi të ardhurat nga kjo taksë shumë e rëndësishme për bashkitë. Qeveria duhet të përmbyllë përfundimisht konsolidimin e kadastrës fiskale, pasi ende shohim vështirësi teknike në përdorimin e saj nga ana e stafeve të bashkive.

7- Fondi i Zhvillimit të Rajoneve të parashikuara si program buxhetor në Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Sugjerimi ynë konstant është që ky grant i kushtëzuar me masën 70% t’u jepet direkt bashkive. Bashkitë nuk kanë pse konkurojnë në institucione qeveritare për shërbimet e tyre dhe investimet lokale. Qeveria qendrore të mbajë shumë prej 30% nga ky fond për projekte kombëtare dhe rajonale me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

8- Fondi për pandeminë. Qeveria duhet të ndajë për vitin 2021 një fond të veçantë për bashkitë për parandalimin dhe përballimin e nevojave potenciale nga ndikimi i pandemisë. Ky buxhet do ishte një burim sigurie për bashkitë, por edhe per qytetarët në raste nevoje. Ndaj ne sugjerojmë që nga fondi qeveritar prej 1 miliard për projekte, 35% e këtij fondi ti dedikohet si buxhet bashkive për pandeminë.

Faleminderit,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *