BASHKIA KRUJË

Qarku:
Durrës


Qendër bashkie:
Qyteti i Krujës


Sipërfaqja:
339.02 Km katrorë


Popullsia:
79608 banorë


Kryetar bashkie:
Artur Bushi


Numri i anëtarëve të këshillit bashkiak:
31


Njësitë administrative:
Kruje, Fushë - Kruje, Bubq, Nikël, Thumanë, Cudhi


Faqja zyrtare e internetit:
http://kruja.gov.al/


PROFILI I BASHKISË

Bashkia Krujë kufizohet në veri me Bashkinë e Kurbinit, në perëndim me Bashkinë Durrës, në jug me bashkitë Kamëz dhe Tiranë dhe në lindje me bashkitë Mat dhe Klos. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Krujës. Sipas Censusit të vitit 2011 Kruja ka 59.814 banorë. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron një popullsi prej 79.608 vetësh. Kruja ka një sipërfaqe prej 339.02 km2. densiteti i popullsisë është 234.81 banorë/km2. Kjo bashki përbëhet nga 6 njësi administrative. Në bashkinë e re gjenden dy qytete dhe 50 fshatra. Bashkia Krujë shtrihet në një terren të përzierë fushor dhe malor. Ajo përshkohet në pjesën fushore nga korridori rrugor dhe hekurudhor veri–jug. Në zonën fushore disponon rezerva të konsiderueshme të gurit gëlqeror, gjë që ka sjellë ndërtimin e disa fabrikave të çimentos si dhe shumë punishteve të prodhimit të gëlqeres. Ndryshe nga zona fushore, qyteti i Krujës, Mali i Krujës dhe Parku Kombëtar i Qafë Shtamës ofrojnë resurse të konsiderueshme të turizmit kulturor, malor, fetar dhe shëndetësor, (llixhat në fshatin Bilaj). Qyteti i Krujës me kështjellën mesjetare, tregun e stilit osman, muzeun etnografik dhe muzeun kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” është ndër qytetet më të vizituar në Shqipëri, ndërsa turizmi ka sjellë edhe ruajtjen e traditës së artizanatit në disa zeje të kufizuara në Pazarin e Krujës. Të dyja qytetet, Kruja dhe Fushë-Kruja, kanë si burime kryesore punësimi industrinë e veshjeve dhe këpucëve ndërsa qyteti i Fushë-Krujës siguron një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave edhe nga fabrika e çimentos.